Pensionet në Shqipëri sa 19 për qind e nivelit të BE sipas fuqisë blerëse
Pensioni mesatar neto në Shqipëri kishte vetëm 19 për qind të fuqisë blerëse të pensionit mesatar në Bashkimin Europian në vitin 2025, niveli më i ulët në Ballkanin Perëndimor.

Sipas Institutit të Vjenës, vendit mund t'i duhen mbi 100 vjet për të arritur mesataren europiane.
Pensioni mesatar neto në Shqipëri kishte vetëm 19 për qind të fuqisë blerëse të pensionit mesatar në Bashkimin Europian në vitin 2025, duke u renditur në nivelin më të ulët mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Sipas të dhënave të Institutit të Vjenës për Studime Ndërkombëtare (wiiw), në vitin 2025, me pensionin mesatar neto në Shqipëri mund të bliheshin afërsisht po aq mallra dhe shërbime sa me 260 euro në BE, me çmimet mesatare atje. Krahasimi bëhet sipas standardit të fuqisë blerëse (PPS), një njësi që Eurostat përdor për të marrë parasysh dallimet në çmime mes vendeve.
Edhe pas përllogaritjes së diferencave të çmimeve, pensioni mesatar në Shqipëri kishte vetëm rreth një të pestën e fuqisë blerëse të pensionit mesatar në BE.
Shqipëria e ngushtoi hendekun me BE-në me 1.3 pikë përqindjeje krahasuar me vitin 2024, ndërsa Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut u afruan përkatësisht me 11.6 dhe 7.8 pikë përqindjeje.
Shqipëria dhe Kosova me pensionet më të ulëta sipas fuqisë blerëse
Vetëm Kosova ishte pranë Shqipërisë, me 272 euro, ose 20 për qind të mesatares së BE-së, matur sipas standardit të fuqisë blerëse. Bosnja dhe Hercegovina arriti në 42 për qind të nivelit europian, Serbia në 44 për qind dhe Maqedonia e Veriut në 52 për qind.
Mali i Zi kryesonte rajonin me 803 PPS, ose 58 për qind të mesatares së BE-së. Me pensionin mesatar në Mal të Zi mund të blihej afërsisht trefishi i mallrave dhe shërbimeve që mbulonte pensioni mesatar në Shqipëri.
Sipas Institutit të Vjenës, Shqipërisë, së bashku me Kosovën dhe Serbinë, do t'i duheshin mbi 100 vjet për të arritur nivelin mesatar të pensioneve në BE, bazuar në skenarin e vitit 2025.
Në të njëjtin skenar, Mali i Zi do ta arrinte mesataren europiane në 14 vjet, Maqedonia e Veriut në 23 vjet dhe Bosnja e Hercegovina në 40 vjet.
Mbi gjysma e pensioneve të pleqërisë në Shqipëri janë të pjesshme
Në Shqipëri, pesha në rritje e pensioneve të pjesshme ndihmon për të shpjeguar nivelin e ulët të përfitimeve.
Gjatë vitit 2025, rreth 55.2 për qind e pensioneve të pleqërisë ishin të pjesshme, nga 52.1 për qind një vit më parë. Rreth 354 mijë përfitues të kësaj kategorie merrnin mesatarisht 13,500 lekë në muaj.
Për personat që përfituan një pension të ri, periudha mesatare e sigurimit ishte 24.5 vjet, rreth 14 vjet më pak se periudha e plotë prej 38 vjetësh e 8 muajsh.
Puna e padeklaruar dhe nëndeklarimi i pagave ndikojnë në masën e pensionit në mënyra të ndryshme. Periudhat pa sigurim shkurtojnë vjetërsinë që njihet për llogaritjen e pensionit, ndërsa një pagë e deklaruar më e ulët zvogëlon bazën mbi të cilën llogaritet shtesa për çdo vit sigurimi.
Sipas INSTAT-it, 21.8 për qind e punësimit në biznese ishte informal në vitin 2025. Banka Botërore e identifikon nëndeklarimin e pagave si një problem të përhapur në skemën shqiptare të pensioneve.
Pensioni mesatar në qytet 20,123 lekë, në fshat 12,313 lekë
Brenda vendit, diferenca mes dy skemave mbetet e ndjeshme. Sipas Institutit të Sigurimeve Shoqërore, pensioni mesatar mujor i pleqërisë ishte 20,123 lekë në skemën urbane dhe 12,313 lekë në skemën rurale.
Pensionet e reja të zakonshme të pleqërisë u lidhën me një mesatare prej rreth 16,500 lekësh në muaj. Në tetor 2025, pensionet u indeksuan me 2.5 për qind, duke i shtuar 500 lekë në muaj një pensioni prej 20 mijë lekësh.
Në vitin 2025, për çdo pension kishte mesatarisht 1.18 kontribuues, ndërsa subvencioni buxhetor për skemën e detyrueshme arriti në 10.2 miliardë lekë.
Sipas Bankës Botërore, vetëm 46 për qind e popullsisë në moshë pune kontribuon në skemën e pensioneve.
Plakja e popullsisë shton presionin mbi një skemë që mbështetet te kontributet e të punësuarve për të financuar pensionet aktuale, ndërsa niveli i ulët i kontributeve dhe pesha e lartë e pensioneve të pjesshme vijojnë të ndikojnë në masën e përfitimeve.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)